Klubit të futbollit Drita nuk i ka munguar suksesi në pesë vjetët e fundit. Te Drita madje mburren me sukseset e arritura. Skuadra gjilanase është bërë dy herë kampione e Kosovës në këtë periudhë. Titullin e kampionit e fitoi në edicionin 2017/2018 dhe 2019/2020. Ka fituar edhe Superkupën në vitin 2018.

Por klubit me nam nga Gjilani i mungon prej më shumë se dy dekadash Kupa e Kosovës. Kupën për herë të fundit e ka fituar në vitin 2001.

Te Drita presin që trofeun që u mungon për 21 vjet ta fitojnë këtë vit.

Drita është në finale të Kupës së Kosovës, ku do të luajë me fituesin aktual, Llapin. Drita vetëm një herë ka fituar Kupën. Në finalen e vitit 2001, Drita e mposhti Gjilanin me penallti. Ndërsa në vitin 2016 humbi finalen nga Prishtina.

“Ne jemi të vetëdijshëm për mungesën e triumfit në Kupë për kaq shumë vjet. Andaj e kemi kohën e duhur për ta sjellë Kupën për tifozët që aq shumë e presin. Kemi gjithçka që duhet për ta fituar”, ka thënë kapiteni i Dritës, Ardian Limani.

Limani vlerëson lart kundërshtarin e finales, Llapin.

Për të arritur deri në finale të Kupës, Drita eliminoi Drenasin, Fushë-Kosovën, Ulpianën dhe Ramiz Sadikun.

Dukshëm rrugë më të vështirë pati Llapi që eliminoi Kikën, Ferizajn, Gjilanin dhe në gjysmëfinale Prishtinën.

“Llapi nuk është rastësisht fitues aktual i Kupës së Kosovës. Ka shumë potencial dhe për mendimin tim sulmin më të mirë në Superligë. Ne kemi respekt të madh për Llapin, mirëpo gjithashtu kemi armët tona shumë të forta. Do të jetë një ndeshje e nivelit të lartë. Stadiumi besoj se do të jetë i mbushur, sepse të dyja skuadrat kemi tifozëri të madhe”, është shprehur Limani, që është zhvilluar si futbollist te Drita.

Mbrojtësit i mungon trofeu i Kupës, ashtu si të gjithë Kryesisë së Dritës.

Drejtori sportiv, Valon Zymberi, thotë se prej fillimit të këtij edicioni gara e Kupës është marrë seriozisht nga klubi.

“Që prej fillimit të edicionit kemi hyrë për të luftuar në të dyja garat, për kampionat dhe Kupë. Sigurisht që trofeu i Kupës është i rëndësishëm dhe i mungon Dritës që një kohë të gjatë. E kemi marrë me shumë seriozitet këtë garë dhe jemi të kënaqur që jemi finalist. Nuk mjafton vetëm finalja. Jemi të përqendruar për ta fituar, sepse është e rëndësishme për lojtarët, trajnerët, tifozët, kryesinë që udhëhiqet nga kryetarët Flamur Bunjakun dhe Valon Murseli. Që gjashtë vjet është marrë përsipër menaxhimi i klubit nga Bunjaku dhe Murseli dhe janë fituar të gjitha trofetë me përjashtim të Kupës”, ka thënë Zymberi.

Drita e suksesshme është treguar edhe në garat ndërkombëtare. Ka arritur deri në fazën e tretë të kualifikimeve të Ligës së Evropës. Në edicionin aktual pati paraqitje të mirë edhe në Ligën e Konferencës, kundër gjigantit holandez, Feyenoord. Drita është në garë edhe për titull të kampionit. Është në vendin e dytë me 52 pikë, tetë më pak se lideri, Ballkani.

Zymberi ka theksuar se Drita do të luftojë deri në fund në kampionat.

“Jemi afër për ta fituar Kupën dhe për ne udhëheqësit, trajnerin Ardian Nuhiu dhe lojtarët është e rëndësishme finalja e Kupës. Është momenti i duhur për ta fituar trofeun e Kupës. Na mungon të gjithëve që jemi pjesë e sukseseve të fundit të Dritës dhe sigurisht se do të ishte emocion dhe e arritur e madhe ta fitonim edhe Kupën. Do të ishim të kompletuar. Por sigurisht ne nuk jemi dorëzuar ende në kampionat. Do të luftojmë derisa matematika na lejon të luftojmë për titull”, ka thënë Zymberi.

admin
May 13, 2019